Guterres kërkon ”armëpushim të menjëhershëm” pas sulmit në spitalin e Gazës.     /Foto: AA

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” pasi një spital në Gazën e rrethuar u godit nga sulmet ajrore izraelite, duke vrarë të paktën 500 palestinezë.

Ai shtoi se sulmi i 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit nuk justifikon “dënimin kolektiv” të palestinezëve.

Duke folur në një forum të iniciativës së infrastrukturës së Kinës “Brez dhe Rrugë” në Pekin, ai përsëriti ato që ai i quajti “dy thirrje urgjente humanitare”.

Ai i bëri thirrje Hamasit për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të pengjeve” dhe i bëri thirrje Izraelit “të lejojë menjëherë qasjen e pakufizuar të ndihmës humanitare për t’iu përgjigjur nevojave më themelore të popullit të Gazës, shumica dërrmuese e të cilëve janë gra dhe fëmijë”.

Në një postim tjetër në X, Guterres tha se OKB-ja ka rezerva ushqimi, ujë, furnizime mjekësore dhe karburant në dispozicion për të dërguar, nëse mund të sigurohet dorëzimi.

“Unë bëj thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të siguruar kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për të ndihmuar në realizimin e dy thirrjeve të mia dhe për të lehtësuar vuajtjet epike njerëzore që po i shohim”, tha Guterres.

“Shumë jetë dhe fati i gjithë rajonit varen në balancë”, shkruan ai.

I tmerruar

Shefi i OKB-së tha se ishte “i tmerruar” nga shpërthim vdekjeprurës që ndodhi në një spital në Gaza të martën vonë, duke vrarë qindra civilë.

“Zemra ime është me familjet e viktimave. Spitalet dhe personeli mjekësor mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Guterres në një postim në X.

Guterres dënoi gjithashtu një sulm në një shkollë të drejtuar nga OKB-ja në një kamp refugjatësh në Gaza që vrau gjashtë persona.

Burimi: TRT World dhe agjencitë


TRT Balkan / agjencitë