Hamas kërkon samit urgjent arab për ta refuzuar zhvendosjen e palestinezëve

Hamas kërkon samit urgjent arab për ta refuzuar zhvendosjen e palestinezëve

Thirrja vjen pas planit të Trumpit për ta marrë Gazën dhe për t'i zhvendosur palestinezët.
Hamas kërkon samit urgjent arab për ta refuzuar zhvendosjen e palestinezëve                                                      Foto: AA

Grupi palestinez Hamas kërkoi të enjten mbajtjen e një samiti urgjent arab për ta refuzuar zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, dënoi planin e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Gazës dhe për të zhvendosur palestinezët diku tjetër.

“Deklaratat e Trumpit janë plotësisht të papranueshme. Gaza i përket popullit të saj dhe ata nuk do ta braktisin atë,” tha Qassem, duke e quajtur propozimin e presidentit amerikan për të marrë Gazën një “qëllim të shpallur për ta pushtuar” rajonin.

“Nuk kemi nevojë që ndonjë vend të drejtojë Gazën dhe nuk do të pranojmë të zëvendësojmë një pushtim me një tjetër,” shtoi ai, duke akuzuar Izraelin dhe ShBA-në për koordinim të roleve të tyre.

Zëdhënësi i Hamasit theksoi nevojën për unitet palestinez për të rezistuar ndaj çdo plani për zhvendosje dhe u bëri thirrje shteteve arabe ta kundërshtojnë presionin e Trumpit për t'i zhvendosur palestinezët.

Të martën, presidenti amerikan tha në një konferencë shtypi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se ShBA-ja do të “marrë kontrollin” e Gazës dhe do t'i zhvendosë palestinezët diku tjetër në kuadër të një plani të jashtëzakonshëm zhvillimi, që ai pretendon se mund ta kthejë enklavën në “Rivierën e Lindjes së Mesme.”

TRT Balkan / agjencitë