Hamasi: Komandanti i përgjithshëm i grupit Mohammed Deif është vrarë                            Foto: AA

Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, ka bërë të ditur se komandanti i saj i përgjithshëm Mohammed Deif është vrarë.

Zëdhënësi i Brigadave Al-Qassam, Abu Ubaida, në një deklaratë televizive tha se gjashtë anëtarë të tjerë të këshillit ushtarak të Brigadave Al-Qassam u vranë së bashku me Deifin.

Mes personave të vrarë janë zëvendësi i tij, Marwan Issa dhe komandantët e lartë Ghazi Abu Tamah, Raed Thabit, Rafi Salama, Ahmad Ghundour dhe Ayman Nofal.

Ubaida kujtoi se grupi më parë ka njoftuar vdekjen e Ahmad Ghundour-it, komandantit të grupit në Gazën veriore dhe Ayman Nofalit gjatë gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ai shtoi se njoftimi erdhi vetëm pas përfundimit të procedurave të nevojshme, adresimit të shqetësimeve të sigurisë të diktuara nga kushtet e fushëbetejës dhe verifikimit të detajeve.

Deklarata vjen më shumë se shtatë muaj pasi ushtria izraelite tha se ka vrarë Deifin në Gaza.

Në atë kohë, mediat raportuan vdekjen e Deifit, por njoftimi i sotëm është njohja e parë zyrtare nga Hamasi për vdekjen e udhëheqësit të lartë.

TRT Balkan / agjencitë