Hamasi konfirmoi se Ismail Haniyeh u vra mëngjesin e sotëm në Teheran / Photo: Reuters

Lëvizja palestineze Hamas konfirmoi se lideri i saj Ismail Haniyeh u vra mëngjesin e sotëm në një sulm ajror në Teheran.

Hamasi tha se Izraeli kreu një sulm që vrau udhëheqësin politik të lëvizjes palestineze, Haniyeh.

Në njoftim thuhet se Haniyeh ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të sapozgjedhur iranian, Masoud Pezeshkian.

Televizioni shtetëror iranian raportoi më parë se lideri i Hamasit, Haniyeh u vra në një sulm terrorist në rezidencën e tij në kryeqytetin iranian.

I njëjti burim raporton se në sulm u vra edhe truproja e Haniyes.

Më 10 prill, ushtria izraelite goditi një automjet që mbante disa anëtarë të familjes së shefit të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, të cilët po festonin Fitër Bajramin me banorët e kampit të refugjatëve Al-Shati në Gazën perëndimore.

Haniyeh, i cili humbi tre djemtë dhe katër nipërit e tij në sulm, tha me atë rast se fëmijët e tij nuk u larguan nga Gaza dhe sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Kudsit dhe Al-Aksa.

Më vonë, mbesa e Haniyeh, Melek Heniyye, e cila u plagos në sulm, gjithashtu ndërroi jetë në spital.

Haniyeh u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khalid Meshaal.

TRT Balkan / agjencitë