Krahu ushtarak i Hamasit, Brigada Al-Qassam, njoftoi se ka liruar dy robër izraelitë për "arsye bindëse humanitare dhe mjekësore".
Zëdhënësi Brigadës Al-Qassam, Abu Obeida e bëri njoftimin në një deklaratë në Telegram dhe tha se lirimi erdhi pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti.
Ai tha se Izraeli më parë kishte refuzuar t'i pranonte robërit.
"Ne vendosëm t'i lirojmë ata për arsye bindëse humanitare dhe mjekësore, pavarësisht se okupimi ka kryer më shumë se 8 shkelje të procedurave që janë dakorduar me ndërmjetësit që t'u përmbahen gjatë ditës për të përfunduar procesin e dorëzimit", shtoi ai.
Të shtunën, Abu Obeida kishte thënë se Brigadat Al-Qassam donin të lironin dy robër izraelitë pa asnjë kusht, por Izraeli "refuzoi t'i pranonte ata".
Megjithatë, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e quajti pretendimin një "propagandë të keqe".
Media izraelite Channel 12 tha se familjet e dy robërve, 79-vjeçarit Nurit Cooper dhe 85-vjeçares Yocheved Lifshitz, u njoftuan për lirimin e tyre nga robëria e Hamasit.
Qeveria izraelite ende nuk ka komentuar për lirimin e tyre.
Javën e kaluar, Brigadat Al-Qassam liruan dy robër amerikanë "për arsye humanitare" si pasojë e përpjekjeve ndërmjetësuese të Katarit.