Grupi palestinez i rezistencës Hamasi deklaroi të hënën vonë se vendimi i qeverisë izraelite për të shpërndarë Kabinetin e Luftës, i cili u formua për të menaxhuar luftën në Rripin e Gazës, është një fitore për rezistencën palestineze.
Në një deklaratë, Izzat al-Rishq, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, tha se rezistenca e armatosur, e udhëhequr nga krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, "çmontoi Kabinetin e Luftës Sionist (izraelit) që fillimisht u formua tetë muaj më parë për të çmontuar rezistencën (palestineze)”.
Tel Avivi njoftoi të hënën se kryeministri Benjamin Netanyahu ka shpërbërë Kabinetin e Luftës, i cili u formua më 11 tetor 2023, vetëm disa ditë pasi Izraeli i shpalli luftë Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar.
Lëvizja erdhi pasi kreu i opozitës Benny Gantz dha dorëheqjen nga qeveria emergjente në fillim të këtij muaji për mosmarrëveshjet rreth një strategjie të pasluftës për Rripin e Gazës.
Kabineti i Luftës fillimisht përbëhej nga Netanyahu, Gantz, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, Ron Dermer, Gadi Eizenkot dhe udhëheqësi i partisë Shas, Aryeh Deri.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Më shumë se 37.300 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 85.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë në gërmadha, kurse popullata palestineze përballet me mungesë serioze të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.