Hamasi tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk dëshiron të arrijë marrëveshje për të ndaluar luftën në Rripin e Gazës dhe shkëmbimin e pengjeve, duke vazhduar të qëndrojë në "Korridorin e Filadelfit" midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Hamasi bëri një deklaratë me shkrim lidhur me këmbënguljen e Netanyahut për të qëndruar në "Korridorin e Filadelfit".
Në deklaratën ku vihen në dukje lajmet në mediat e ShBA-së se Uashingtoni ka përgatitur propozim të ri për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim, thuhet se "Nuk kemi nevojë për propozime të reja".
Më tej, tërhiqet vëmendja se Netanyahu nuk dëshiron të arrijë marrëveshje për të ndaluar luftën në Rripin e Gazës dhe shkëmbimin e pengjeve, duke kërkuar që ushtria izraelite të vazhdojë të qëndrojë në "Korridorin e Filadelfit".
"Ajo që duhet të bëhet në këtë moment është të zbatohet presion ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij dhe ata të detyrohen t'i përmbahen marrëveshjes së arritur më parë. Qëllimi i Netanyahut është të zgjasë luftën në Rripin e Gazës. Paralajmërojmë të mos biem në grackën e Netanyahut dhe lojërave të tij, i cili i përdor negociatat për të zgjatur luftën kundrejt popullit tonë", theksohet në deklaratë.
Netanyahu, mbrëmë përsëriti se nuk do të tërhiqen nga "Korridori i Filadelfit" në kufirin Gaza-Egjipt me justifikimin "për të penguar largimin e pengjeve izraelite jashtë Rripit të Gazës".
Netanyahu dhe qeveria e tij akuzohen se nuk bien dakord për një marrëveshje me Hamasin në negociatat mbi armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza, duke shtuar nene (pika) të reja në propozimet aktuale.
Përballë kërcënimeve nga partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë për të përmbysur qeverinë nëse ndalojnë sulmet në Gaza, Netanyahu akuzohet se ka sabotuar marrëveshjen e armëpushimit në Izrael dhe në arenën ndërkombëtare.
Nenet që Netanyahu i shtoi në draftin e marrëveshjes dhe veçanërisht këmbëngulja e tij për të mbajtur kontrollin mbi "Korridorin e Filadelfit", vijën kufitare Egjipt-Gaza, theksohet se i kanë vështirësuar negociatat.
Gjatë kësaj periudhe, Izraeli vazhdon dhunën e tij në Rripin e Gazës.
Numri i të vrarëve në sulmet që Izraeli ka kryer në më shumë se 10 muaj në Gaza me mbështetjen e ShBA-së, është afërsisht 41 mijë, prej të cilëve kryesisht gra dhe fëmijë ndërsa fatkeqësia humanitare në rajon po thellohet dita-ditës.