Hapen dyert e shkollave për 11 mijë nxënës nga Gaza në Bregun Perëndimor / Photo: Reuters

Ministria palestineze e Arsimit njoftoi se 11 mijë nxënës nga Gaza, të cilëve u ndërpre shkollimi për shkak të sulmeve shkatërruese të Izraelit që po vazhdojnë prej muajsh, janë regjistruar në arsimin në distancë në Bregun Perëndimor.

Në deklaratën me shkrim të Ministrisë thuhet se 19 shkolla në Bregun Perëndimor hapën dyert e tyre për shërbimet e arsimit në distancë për 11 mijë nxënës që dolën nga Rripi i Gazës.

Mësuesit dhe drejtorët e shkollave dolën vullnetarë për të regjistruar nxënësit në Gaza.

Ministri i Arsimit, Amjad Berhem, tha se ata e kanë të rëndësishme që nxënësit në Rripin e Gazës të mos privohen nga arsimi dhe të zbusin dëmet e shkaktuara nga sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj sistemit arsimor.

Berhem deklaroi se ata filluan programin e edukimit në distancë brenda fushës së përgjegjësisë së tyre për të mbrojtur të drejtën e shkollimit të nxënësve të Gazës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, që nga 7 tetori kur nisën sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor 6.237 nxënës kanë humbur jetën ndërsa 10.300 nxënës janë plagosur.

Në sulmet e Izraelit në Gaza, u dëmtuan 286 shkolla publike, 65 shkolla të lidhura me Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) u dëmtuan, ndërsa 40 prej tyre u shkatërruan plotësisht.

AA