Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, të enjten me vendosmëri kundërshtoi mundësinë e vendosjes së një embargoje të armëve amerikane ndaj Izraelit, ndërsa ky shtet vazhdon të zhvillojë një luftë shkatërruese në Rripin e rrethuar të Gazës.
“Jam e palëkundur në angazhimin tim ndaj mbrojtjes së Izraelit dhe aftësisë së tij për të mbrojtur veten, dhe kjo nuk do të ndryshojë", tha Harris gjatë intervistës së saj të parë që kur u bë kandidate e demokrateve për presidente të ShBA-së.
E shtyrë nëse ajo do të mbështeste një ndryshim në politikën amerikane që do të ndikonte në ndihmën ushtarake, Harris në formë të prerë tha: "Jo." Ajo pranoi se "shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë", me sa duket duke iu referuar numrit të të vrarëve në Gaza që i kalonte 40.600 viktima, ndër të cilët numri më i madh ishin gra dhe fëmijë.
Gati 2,3 milionë banorë të Rripit të Gazës janë të zhvendosur brenda vendit. "Ne duhet të arrijmë një marrëveshje. Kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne duhet të arrijmë një marrëveshje në lidhje me lirimin e pengjeve. Marrëveshja nuk është vetëm gjëja e duhur për t'i dhënë fund kësaj lufte, por ajo do të zhbllokojë shumë se çfarë duhet të ndodhë më pas”, tha Harris.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar. Izraeli përballet me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëroi ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Rafahut.