Nën mbrojtjen e forcave izraelite, 1.531 kolonë hebrenj kryen bastisje në oborrin e Xhamisë Al-Aksa, e cila ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim.
Kolonët hebrenj vazhdojnë bastisjet e tyre kundër Xhamisë Al-Aksa për shkak të festës "Pesach" që përfshin periudhën 5-13 prill.
Policia izraelite edhe sot mori nën mbrojtje grupet e kolonëve hebrenj që hynë në oborrin e Xhamisë Al-Aksa, ndërkohë shumë policë rrethuan Xhaminë e Kibles në të cilën kryejnë adhurime myslimanët.
Në një deklaratë nga Administrata e Vakëfeve Islame të Palestinës, e cila është përgjegjëse për Xhaminë Al-Aksa, thuhet se në bastisje morën pjesë 1.531 kolonë hebrenj të përbërë nga 23 grupe të ndryshme.
Myslimanët e pranishëm gjatë hyrjes së kolonëve hebrenj në objektin e Aksasë protestuan ndaj bastisjes nëpërmjet tekbireve.
Një grup palestinezësh dhe myslimanësh nga vende të ndryshme, përfshirë edhe turq, falën namazin me xhemat në pikën ku kaluan kolonët hebrenj.
Ndërhyrja e policisë izraelite dy netë njëra pas tjetrës duke përdorur forcë joproporcionale me bomba zëri, plumba plastikë dhe shkopinj gome ndaj myslimanëve në Xhaminë Al-Aksa, përshkallëzoi tensionet në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor nën pushtim.
Thirrjet për "bastisje ndaj Aksasë" gjatë Festës "Pesach"
Kolonët hebrenj rritën thirrjet e tyre për bastisje kundër Xhamisë Al-Aksa gjatë festës "Pesach" më 5-13 prill.
Ndërsa palestinezët që e prisnin bastisjen në këtë periudhë, u bënë thirrje myslimanëve për itikaf në Xhaminë Al-Aksa gjatë muajit të ramazanit.
Ndërkohë, 15 rabin hebrenj fanatikë i shkruan një letër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Sigurisë Kombëtar Itamar Ben-Gvir, në të cilën i kërkuan që të lejohen kolonët hebrenj të presin kurbane në Xhaminë Al-Aksa gjatë festës "Pesach", si dhe rekomanduan që të jepet çmim në vlerën 5.500 dollarë për ata që arrijnë të presin kurban.