Holandë, pas reshjeve të shiut, niveli i ujit në pikën kritike. / Photo: AA

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që niveli i ujit të kanaleve dhe lumenjve në Holandë të arrijë nivele kritike ndërsa shumë objekte afariste dhe rrugë tashmë janë përmbytur.

Kryeministri holandez Mark Rutte njoftoi në rrjetin social X se reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme të mëdha në disa qytete.

"Po monitorojmë nga afër situatën dhe po marrim masa paraprake aty ku është e nevojshme. U uroj forcë të gjithë atyre që po përballen me pasojat e pakëndshme të shirave të dendur", tha Rutte.

Ai ka thënë se, pavarësisht festave të Krishtlindjeve, institucionet kompetente janë duke punuar për marrjen e masave të nevojshme.

Shërbimi publik NOS raporton se shumë ndërtesa afariste në pjesët jugore të Holandës janë përmbytur dhe se komunitetet lokale kanë marrë masa për të mbrojtur ndërtesat historike.

TRT Balkan / agjencitë