HRW: Izraeli ka lënë rreth 600 mijë njerëz pa ujë të pastër.    /Foto: Reuters

Izraeli ka lënë rreth 600 mijë njerëz në Gaza pa ujë të pastër pasi ndërpreu furnizimet më 11 tetor, tha Human Rights Watch (HRW) të enjten vonë.

“Bllokada e Rripit të Gazës po i vë fëmijët palestinezë dhe civilët e tjerë në rrezik të madh”, tha HRW në platformën sociale "X".

Sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, shtetet duhet të respektojnë të drejtën për ujë, e cila përfshin abstenimin nga kufizimi i aksesit ose shkatërrimi i shërbimeve dhe infrastrukturës ujore si "masë ndëshkuese" gjatë konflikteve të armatosura, sipas HRW-së.

HRW-ja paralajmëroi gjithashtu se mungesa e ujit, ndotja e zonave nga ujërat e zeza dhe prania e trupave që nuk mund të ruhen në mënyrë të sigurt në morgë mund të shkaktojnë shpërthim të sëmundjeve infektive.

Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz, tha më 10 tetor se ai kishte udhëzuar autoritetet të ndërpresin furnizimin me ujë në Rripin e Gazës.

Konflikti në Gaza, i cili ka qenë nën bombardimet izraelite dhe një bllokadë që nga 7 tetori, filloi kur grupi palestinez Hamas nisi operacionin "Tufani i Al-Aksasë", një sulm i papritur i shumëdimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin "Shpata e Hekurta" në Rripin e Gazës.

Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar për të lehtësuar "vuajtjet epike njerëzore".

Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa më shumë se 1.400 izraelitë janë vrarë gjatë konfliktit.

TRT Balkan / agjencitë