Hyjnë në fuqi rregullat e reja kontroverse të udhëtimit në Spanjë            / Foto: AA

Sot në Spanjë kanë hyrë në fuqi rregulla të reja të diskutueshme që kërkojnë që hotelet spanjolle, agjencitë e makinave me qira dhe operatorët e tjerë turistikë të mbledhin të dhëna personale shtesë nga udhëtarët.

Rregullat e reja thuhet se synojnë të ndihmojnë policinë të luftojë terrorizmin dhe krimin e organizuar, por kërkesa e shtuar për informacione personale ka ngjallur kritika nga industria e turizmit, e cila thekson se kjo do të cenojë privatësinë, ndërsa e bën udhëtimin më të shtrenjtë dhe konsumuese për kohën.

“Tani ne duhet të përfshijmë rreth 40 pika të të dhënave të klientit, duke kërkuar informacione personale në lidhje me marrëdhëniet, mënyrat e pagesës – si llogaria apo kartat që përdoren – dhe kjo është madje e nevojshme vetëm për të bërë rezervime”, ka thënë Jorge Marichal, kreu i shoqatës spanjolle të hoteleve CEHAT, për transmetuesin COPE.

CEHAT tha se po shqyrton veprime ligjore mbi ndikimin negativ që mund të kenë rregullat e reja.

Një menaxher hoteli ka thënë për transmetuesin RTVE se procesi mund të zgjasë kohën mesatare të “check-in-it” deri në dhjetë minuta për klient.

Të dhënat duhet të dorëzohen përmes një aplikacioni online të drejtuar nga Ministria e Brendshme. Megjithatë, sot, përdoruesit raportuan se aplikacioni pësoi ndërprerje.

“Ne nuk i dimë arsyet teknike, por ... kjo është dëshmi e mungesës së largpamësisë së ministrisë, pasi ata nuk e kanë kalibruar në mënyrë adekuate vëllimin e operacioneve ditore”, ka thënë Catiana Tur nga shoqata e agjencive turistike ACAVE, duke folur për të përditshmen Hosteltur.

Udhëtarët kanë shprehur gjithashtu shqetësime për ndikimin në privatësinë e tyre, me disa turistë britanikë që kanë thënë për “GB News” se planifikojnë të shmangin Spanjën për shkak të rregullave të reja.

Ministria pretendon se ndryshimet janë thjesht një përditësim i rregullave të mëparshme të mbledhjes së të dhënave, të cilat janë “të vjetruara” nga përparimet në teknologjinë e pagesave dhe ndryshimet në industrinë e turizmit.

Ajo thotë se kriminelët kanë gjetur gjithnjë e më shumë mënyra për të anashkaluar rregulloret e të dhënave kur marrin me qira makina ose rezervojnë akomodime.

TRT Balkan / agjencitë