Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres denoncoi të martën përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht midis Iranit dhe Izraelit.
"Unë dënoj zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme me eskalim pas eskalimi", shkroi Guterres në X.
Duke kërkuar që përshkallëzimi "duhet të ndalet", Guterres tha: "Ne kemi absolutisht nevojë për armëpushim".
Deklarata e tij erdhi pasi Irani gjuajti qindra raketa balistike në Izrael në mes të tensioneve të rritura midis dy rivalëve rajonalë.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRCG) tha se sulmi ishte në përgjigje të vrasjeve të liderit të Hamasit Ismail Hanije, liderit të Hezbollahut Hassan Nasrallah dhe komandantit të IRGC-së Abbas Nilforoshan.
Hanije u vra në Teheran muajin e kaluar, ndërsa Nasrallahu u vra të premten në Bejrut, së bashku me Nilforoshanin.
Trupat e Gardës paralajmëruan se nëse Izraeli i përgjigjet breshërisë së raketave, do të përballet me më shumë "sulme shkatërruese".
Tensionet kanë qenë të larta midis Teheranit dhe Tel Avivit që nga vrasja e Hanijes në kryeqytetin iranian më 1 gusht. Irani e kishte fajësuar Izraelin dhe u zotua se do të ketë reagim të ashpër.
Vrasja e Nasrallahut, aleat kyç i Iranit, në një sulm ajror izraelit në një periferi jugore të Bejrutit u pasua nga dënime të forta nga udhëheqësia e lartë e Iranit.
Nuk dihet ende nëse raketat e lëshuara drejt Izraelit kanë goditur objektivat e tyre dhe nëse ka pasur viktima apo dëme.