Ushtria izraelite ka arrestuar të paktën 35 palestinezë të tjerë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar. Sipas një deklarate të përbashkët nga Autoriteti për Çështjet e të Burgosurve dhe Ish-të Burgosurve dhe Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, arrestimet e reja e kanë çuar numrin e përgjithshëm të palestinezëve të ndaluar nga forcat izraelite që nga 7 tetori në 7.305.
Arrestimet janë kryer kryesisht në qytetet Jenin, Nablus, Ramallah, Betlehem, El-Halil dhe Kudsin Lindor.
Ata përfshinin disa punëtorë nga Gaza, të cilët u arrestuan në qytetin Nablus, thuhet në njoftim.
Gjatë arrestimeve, forcat izraelite rrahën e abuzuan palestinezët, si dhe dëmtuan shtëpitë dhe pronat e tyre, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Sipas shifrave nga dy grupet e të drejtave, numri i përgjithshëm i të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite është mbi 9.000, duke përfshirë 3.484 të mbajtur nën masën e paraburgimit administrativ pa gjyq apo akuzë, 200 fëmijë dhe 70 gra.
Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Gati 410 palestinezë në Bregun Perëndimor janë vrarë nga forcat izraelite dhe kolonët që nga 7 tetori, përveç mbi 4.600 të tjerëve që janë plagosur.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.