Izraeli i gatshëm për pauzë të re humanitare në Gaza për lirimin e pengjeve      / Foto: AA Archive

Izraeli është gati për një pauzë të dytë humanitare në Rripin e Gazës për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha të martën Presidenti Isaac Herzog.

“Mund të ritheksoj faktin se Izraeli është gati për një tjetër pauzë humanitare dhe ndihmë shtesë humanitare në mënyrë që të mundësojë lirimin e pengjeve”, tha Herzog gjatë një takimi me ambasadorët e 80 vendeve.

“Përgjegjësia i takon plotësisht [udhëheqësit të Hamasit në Gaza Jahja] Sinwar dhe udhëheqjes së Hamasit”, shtoi ai.

Një pauzë e mëparshme humanitare njëjavore, muajin e kaluar, pa lirimin e 84 izraelitëve dhe 24 të huajve nga Hamasi në këmbim të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Herzog tha se Izraeli "nuk ishte në luftë me popullin palestinez, por po luftonte armikun e tij Hamas".

Nuk pati asnjë koment nga Hamasi për deklaratat e presidentit izraelit.

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi kanë vrarë të paktën 19.667 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur 52.586 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Lufta e ka lënë Gazën në gërmadha me gjysmën e stokut të banesave të territorit bregdetar të dëmtuar ose të shkatërruar, dhe gati 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.

Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa më shumë se 130 pengje mbeten në robëri.

AA