Izraeli njoftoi se i ka anuluar vizën koordinatores së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Çështjet Humanitare për Palestinën, Lynn Hastings.
Në një deklaratë përmes llogarisë së tij në median sociale X, ministri i Jashtëm i Izraelit Eli Cohen tha se "Tashmë nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë paragjykimeve të OKB-së!".
Duke vënë në objektiv Hastings, ministri izraelit akuzoi koordinatoren e çështjeve humanitare për Palestinën se ka “dënuar Izraelin”, i cili vazhdon sulmet e ashpra dhe pushtimin tokësor ndaj Rripit të Gazës.
"Kam vendosur t'i anuloj vizën e qëndrimit në Izrael koordinatores për Çështjet Humanitare të OKB-së, Lynn Hastings", deklaroi Cohen.
"Një person që në vend të Hamasit dënon Izraelin nuk mund të ushtrojë detyrë në OKB dhe nuk mund të hyjë në Izrael", shkroi ai.
Në një deklaratë me shkrim dje, Hastings tërhoqi vëmendjen se asnjë vend nuk është i sigurt në Rripin e Gazës të cilin Izraeli e mban nën sulme intensive.
Koordinatorja e OKB-së ka thënë se fillimi i sulmeve të Izraelit pas "pauzës humanitare" ka zënë ngushtë mijëra njerëz në zona që ngushtohen gjithnjë e më shumë me synimin për të gjetur ushqim, ujë, strehim dhe hapësirë të sigurt".