Izraeli kërkon të zëvendësojë punëtorët palestinezë me të huaj      / Foto: AA

Autoritetet izraelite janë duke hartuar një plan për të zëvendësuar punëtorët palestinezë në Izrael me të huaj, raportojnë mediat izraelite të hënën.

Siç raporton transmetuesi publik KAN, plani pritet të zbatohet në vitin 2024 me synimin për të reduktuar varësinë nga punëtorët palestinezë.

Plani duhet t'i paraqitet qeverisë izraelite brenda dy javësh, raportoi KAN.

Izraeli kërkon të sjellë rreth 80,000 punëtorë nga vende të ndryshme, kryesisht nga Azia, për punë në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë.

Sipas planit të përmendur, Izraeli do të përpiqet të organizojë ardhjen e 25.000 punëtorëve nga Sri Lanka, 20.000 nga Kina, 17.000 nga India, 13.000 nga Tajlanda dhe 6.000 nga Moldavia.

Plani, megjithatë, do të kërkonte nënshkrimin e kontratave me këto vende dhe zhvillimin e bisedimeve për kushtet e punës përpara se ato të hyjnë në fuqi, shton KAN.

Sipas shifrave zyrtare, para ngjarjeve të 7 tetorit kur forcat izraelite nisën sulmet në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit, rreth 150,000 palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe 18,500 të tjerë nga Gaza punonin në Izrael.

TRT Balkan / agjencitë