Izraeli miraton vazhdimin e pushtimit në 'Korridorin e Filadelfit' / Photo: AA

Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi vazhdimin e pushtimit në “Korridorin e Filadelfit” në kufirin Egjipt-Rripi i Gazës.

Sipas mediave lokale, ushtria izraelite i ka paraqitur Kabinetit të Sigurisë hartat në lidhje me vazhdimin e pushtimit në “Korridorin e Filadelfit”.

Propozimi u miratua në votim, ku 8 nga 10 anëtarë të Kabinetit të Sigurisë votuan pro vazhdimit të pushtimit të ushtrisë izraelite në 'Korridorin e Filadelfit'.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant votoi kundër propozimit, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir nuk mori pjesë në takim.

Në takim kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbrojtur "domosdoshmërinë" e vazhdimit të pushtimit në korridor.

Netanyahu pretendon se ky hap "nuk do ta vështirësojë shkëmbimin e pengjeve" midis Izraelit dhe Hamasit, përkundrazi "do të bëjë edhe më të mundur një marrëveshje të mundshme".

Një zyrtar izraelit i paidentifikuar ka pohuar se ShBA-ja ka "miratuar" hartat e përgatitura nga ushtria izraelite për vazhdimin e pushtimit në 'Korridorin e Filadelfit' dhe të paraqitura në Kabinetin e Sigurisë.

Pengesa më e madhe për shkëmbimin e pengjeve

Netanyahu kritikohet për përpjekjet për të penguar marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Pasi negociatat për shkëmbimin e pengjeve u rikthyen në rend dite, Netanyahu kërkoi disa kushte të reja për një marrëveshje të mundshme, përfshirë kontrollin e “Korridorit të Filadelfit” nga ushtria izraelite.

Negociatat për shkëmbimin e pengjeve, të cilat rifilluan më 15-16 gusht në kryeqytetin e Katarit, Doha, si dhe të cilat vazhdojnë me ndërprerje, janë vështirësuar për shkak të kushteve të reja që ka nxjerrë Netanyahu.

Miratimi nga Kabineti izraelit i Sigurisë për vazhdimin e pushtimit në “Korridorin e Filadelfit” do të vendosë në ngërç negociatat për shkëmbimin e pengjeve.

TRT Balkan / agjencitë