Izraeli nis sulmet ajrore në Gaza dhe Liban.     /Foto: AA

Ushtria izraelite nisi sulmet ajrore në Liban disa orë pasi goditi Rripin e Gazës herët të premten.

Nëpërmjet një kumtesë, ajo tha se goditi objektivat që i përkisnin grupit të rezistencës palestineze Hamas në Libanin jugor.

Ushtria izraelite tha se nuk do të lejonte Hamasin "të operojë nga brenda Libanit" dhe "e mban shtetin e Libanit përgjegjës për çdo zjarr të drejtuar që buron nga territori i tij".

Në orët e para të së premtes, ushtria izraelite goditi dy tunele në Beit Hanoun dhe Khan Yunis dhe dy fabrika armësh në Gaza në përgjigje të "shkeljeve të sigurisë nga Hamas".

Duke reaguar ndaj sulmeve ajrore izraelite në Gaza, Hazem Kassem, një zëdhënës i Hamasit, tha se Izraeli "mbart përgjegjësinë e plotë" për përshkallëzimin dhe agresionin kundër Jerusalemit dhe Gazës.

Grupi lëshoi raketa nga Rripi i Gazës në Izrael pas sulmeve të fundit.

Kanali zyrtar izraelit KAN raportoi të premten në mëngjes se 40 raketa u lëshuan gjatë natës nga Rripi i Gazës në drejtim të vendbanimeve fqinje izraelite.

Rreth gjysma e raketave u kapën nga sistemi Iron Dome, ndërsa pjesa tjetër ranë në zona të hapura, sipas të njëjtit burim.

Ushtria izraelite lëshoi gjithashtu një paralajmërim në Twitter duke thënë se sirenat po bien në Izraelin jugor.

Sirenat u ndezën gjithashtu në qytetin e Ashkelon, si dhe në vendbanimet periferike të Gazës, pasi raketat u lëshuan nga Rripi i Gazës.

Zhvillimet erdhën pasi forcat izraelite sulmuan kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe larguan me forcë besimtarët palestinezë për dy netë me radhë.


TRT Balkan / agjencitë