Ushtria izraelite tha të dielën se forcat e saj do të luftojnë ashpër në pjesën jugore të Rripit të Gazës kundër militantëve të Hamasit "siç bënë në veri".
"Ne luftuam ashpër dhe tërësisht në veri të Rripit të Gazës, dhe do ta bëjmë këtë tani në jug". tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë izraelite, Herzi Halevi.
Të dielën, ai "vizitoi divizionin në Gaza dhe foli me rezervistët në sektor", njoftoi ushtria nëpërmjet një komunikate.
Ndërkohë, radioja e ushtrisë izraelite raportoi se ushtria kishte nisur një operacion tokësor në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Ushtria thuhet se ka filluar operacionet në veri të Khan Younisit.
“Ushtria izraelite pritet të zgjerojë operacionin e saj tokësor”, shtuan ata.
Ushtria izraelite rifilloi bombardimet e saj në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pasi shpalli fundin e një pauze humanitare njëjavore të nisur më 24 nëntor.
Të paktën 509 palestinezë janë vrarë dhe 1.316 janë plagosur që nga e premtja në sulmet ajrore izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Izraeli filloi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 15.523 që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar palestineze.
Numri i të plagosurve në të njëjtën periudhë është rritur në 41.316.