Izraeli vendosi të mos dërgojë delegacionin e tij në Kajro për të diskutuar një propozim të ri egjiptian për një armëpushim në Gaza.
Radioja e ushtrisë izraelite citoi një zyrtar izraelit, pa përmendur emrin e tij, duke thënë se Izraeli do të presë derisa grupi Hamas t'i përgjigjet propozimit të marrëveshjes, pas së cilës do të vendosë nëse do të vazhdojë bisedimet apo jo.
Radioja, megjithatë, nuk specifikoi natyrën e përgjigjes që pret nga grupi i Hamasit.
Dje, media izraelite raportoi se një delegacion izraelit është planifikuar të udhëtojë në Egjipt për t'u takuar me zyrtarë egjiptianë të sigurisë mbi përpjekjet për një armëpushim në Gaza.
Faqja e lajmeve izraelite Ynet sot më herët citoi burime ushtarake izraelite të kenë thënë se ushtria është e përgatitur të pushtojë qytetin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës brenda 72 orëve nëse nuk arrihet një marrëveshje për një armëpushim.
Egjipti konfirmoi dje se ka një propozim të ri për një armëpushim në Rripin e bllokuar të Gazës.
"Ka një propozim në tryezë për të arritur një armëpushim në Gaza", tha ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry gjatë një takimi të Forumit Ekonomik Botëror në Arabinë Saudite.
Rafah është zona e fundit e mbetur në enklavë ku Izraeli ende nuk ka njoftuar zyrtarisht hyrjen e trupave të tij për të vazhduar sulmin kundër palestinezëve.
Hamasi kërkon fundin e ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori për çdo marrëveshje shkëmbimi pengjesh me Tel Avivin.