Izeaeli shënjestroi tri spitale në veri të Gazës. / Photo: AA

Disa fëmijë u plagosën në sulmin që ushtria izraelite kreu ndaj tri spitaleve në veri të Rripit të Gazës.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir Abdullah al-Bursh, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se ushtria izraelite shënjestroi me zjarr artilerie spitalet "Kamal Adwan", "Al Awda" dhe "Indonesian".

Duke ndarë informacionin se është hapur zjarr ndaj spitalit, Al-Bursh tha se në sulme u dëmtuan gjeneratorët e energjisë elektrike dhe rezervuarët e ujit në spitalin "Kamal Adwan" dhe u plagosën disa fëmijë në njësinë e të porsalindurve.

Ai vuri në dukje se spitalet u shënjestruan gjatë vizitës së një delegacioni nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). Al-Bursh shtoi se Izraeli po përpiqet të imponojë situatë të re duke rrënuar sistemin shëndetësor.

Drejtori i spitalit "Kamal Adwan", Hossam Abu Safiya, ndau informacionin se njëri nga fëmijët e plagosur është në gjendje të rëndë. "Mbi ta kanë rënë plumba dhe predha artilerie nga çdo anë. Në spital ndodhen 120 pacientë dhe të plagosur, mes të cilëve 19 fëmijë, përfshirë 4 të porsalindur", tha Abu Safiya.

Administrata e spitalit "Al-Awda", përmes një deklarate me shkrim ka kërkuar nga OBSh-ja dhe KNKK-ja të furnizojnë spitalin me pajisje mjekësore dhe karburant.

Në deklaratë thuhet se spitali nuk ka marrë karburant që nga 5 tetori dhe se rezervat janë në mbarim dhe se për të vazhduar shërbimin shëndetësor ka nevojë urgjente për ilaçe, pajisje mjekësore, njësi gjaku, ushqim dhe ujë.

TRT Balkan / agjencitë