Izraeli shkatërroi 32 xhami për 16 ditë. / Foto: AA

Me xhaminë En-Nur el-Muhammedi të shkatërruar së fundmi në sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës, numri i xhamive të shkatërruara që nga fillimi i sulmeve më 7 tetor është rritur në 32.

Ministria e Brendshme e Palestinës në Gaza bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi se avionët izraelitë kanë sulmuar xhaminë En-Nur el-Muhammedi në lagjen Sheikh Ridwan në Gaza.

Në njoftim u theksua se si pasojë e sulmit ka të plagosur, ndërsa në një sulm ndaj një shtëpie në lagjen e njëjtë ka viktima.

Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur "Tufani i Aksa-së".

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se mbi 1.400 izraelitë, përfshirë 308 ushtarë humbën jetën ndërsa 5.132 u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se nga sulmet izraelite në Gaza janë vrarë 4.700 palestinezë, përfshirë 1.873 fëmijë dhe 1.023 gra ndërsa 14.245 të tjerë u plagosën.

Thuhet se 90 palestinezë janë vrarë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën edhe 18 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 26 anëtarë të Hezbollahut si dhe 4 civilë përfshirë 1 gazetar.

Në sulmet e kryera nga Libani kanë humbur jetën 3 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

TRT Balkan / agjencitë