Qeveria izraelite e ka shpallur "persona non grata" dhe i ka ndaluar hyrjen në vend Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i cili ka bërë thirrje për ulje urgjente të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë me shkrim të ministrisë së Jashtme të Izraelit, thuhet se ministri Yisrael Katz e ka shpallur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Guterres "persona non grata".
Në deklaratë thuhet se Guterresit i është ndaluar hyrja në vend dhe se vendimi është marrë për shkak të deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pas sulmit raketor të Iranit dje.
Në deklaratën e tij të djeshme, shefi i OKB-së nuk përmendi emrin e Iranit në lidhje me raketat e lëshuara dhe nuk "dënoi drejtpërdrejt" sulmin e Teheranit, tha ministria.
Sipas ministrisë, Katz e ka akuzuar Guterresin si antiizraelit, duke shtuar: "Kushdo që nuk mund të dënojë hapur sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç bëjnë pothuajse të gjitha vendet në botë, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite".
Në deklaratën e tij pas sulmit të djeshëm të Iranit ndaj Izraelit, Guterres dënoi zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.