Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, vrau dhjetëra palestinezë gjatë natës. / Foto: AA Archive

Ushtria izraelite vrau dhjetëra palestinezë dhe plagosi shumë të tjerë në sulmet e saj në shumë pjesë të Rripit të Gazës gjatë gjithë natës.

Forcat izraelite vazhdojnë sulmet e tyre në Gaza edhe në ditën e 136-të, ku shkaktuan fatkeqësi të madhe humanitare duke i detyruar njerëzit të mbeten të uritur dhe të etur.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat izraelite gjatë natës kanë kryer sulme intensive në pika të ndryshme, veçanërisht në qendër të qytetit të Gazës, nga ajri, toka dhe deti.

Të paktën 10 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmet ajrore dhe tokësore të kryera nga ushtria izraelite mbi shtëpitë në rajonet Deyr al-Balah, Nuseirat, Ez-Zevaide, Burayj dhe Al-Meghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Gjithashtu pati të vdekur dhe të plagosur në sulmet e artilerisë ndaj shtëpive në lagjen Ez-Zeitoun, që ndodhet në juglindje të qytetit të Gazës. Në rrethin Rimal në perëndim të qytetit, avionët luftarakë izraelitë bombarduan dy shtëpi dhe të paktën 6 persona u plagosën në sulm.

Ushtria izraelite bombardoi rëndë rrethinat e spitalit "Amal", që ndodhet në jug të Rripit të Gazës. Forcat izraelite u vendosën pranë Spitalit të Specializuar Algjerian, në pjesën lindore të qytetit Khan Younis.

Ushtria izraelite bombardoi pjesë të ndryshme të qytetit Rafah në jug të Gazës nga ajri dhe deti, ndërsa dhjetëra palestinezë u plagosën nga bombardimet intensive.

TRT Balkan / agjencitë