Izraeli vazhdon të ndalojë palestinezët të hyjnë në xhaminë Al-Aksa.     /Foto: AA

Për javën e gjashtë me radhë, autoritetet izraelite vazhduan me kufizime të ashpra ndaj palestinezëve, duke ua ndaluar atyre të hyjnë sërish në xhaminë Al-Aksa në Kudsin (Jerusalemin) Lindor të pushtuar për lutjet e së premtes.

Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa dukej pothuajse bosh për shkak të kufizimeve të rrepta të Izraelit.

Që nga mëngjesi i së premtes herët, forcat izraelite janë dislokuar në gjithë Kudsin Lindor të pushtuar, veçanërisht në Qytetin e Vjetër dhe hyrjet që çojnë për në xhami.

Palestinezët që nuk u lejuan të hynin në Al-Aksa u lutën rreth xhamisë, në një rrugë në Qytetin e Vjetër.

Kujtojmë që Izraeli filloi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Që atëherë, të paktën 11.500 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë rreth 7.900 gra dhe fëmijë, ndërsa më shumë se 29.800 janë plagosur.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, u dëmtuan ose u shkatërruan në ofensivën izraelite.

TRT Balkan / agjencitë