Izraeli vret gjashtë persona dhe plagos shumë të tjerë gjatë natës në Gaza. / Foto: AA

Të paktën gjashtë persona u vranë dhe shumë u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria izraelite gjatë natës në qytete të ndryshme të Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, gjatë natës ushtria izraelite kreu sulme në qytetin Deir al-Balah dhe kampin e refugjatëve Al-Burayj në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, dhe në vendet e Es-Sabra dhe Es-Sahaba në veri të Gazës.

Në një sulm ndaj tendave të civilëve të zhvendosur në rajonin Al-Baraka, në jug të Deir al-Belah, dy persona u vranë.

Në sulmin në shtëpinë e familjes Es-Shami në Sabra janë gjetur trupat e tre personave. Në sulmin në shtëpinë e familjes Es-Subaki në Es-Sahab, një person ka mbetur i vrarë dhe shumë persona janë plagosur.

Të vdekur dhe të plagosur ka pasur edhe nga sulmi në “Bllokun 12” në kampin e refugjatëve Burayj.

Forcat izraelite hapën zjarr edhe ndaj anëtarëve të Mbrojtjes Civile që shkuan në zonë për të nxjerrë të vdekurit dhe të plagosurit nga rrënojat.

Të paktën 41,226 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të enklavës.

Izraeli vazhdoi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar.

Pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, konflikti vazhdon.

Izraeli po përballet me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë