Mbreti Abdullah II i Jordanisë tha se vendi i tij definitivisht nuk do të jetë arenë për konflikte rajonale.
Sipas deklaratës së Oborrit Mbretëror të Jordanisë, Mbreti Abdullah priti ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili vizitoi kryeqytetin jordanez, Amanin.
Mbreti Abdullah gjatë takimit deklaroi se tensionet në rajon duhet të zvogëlohen dhe paralajmëroi se vdekjet dhe shkatërrimet e vazhdueshme do të rezultojnë në përhapjen e konflikteve.
Ai theksoi se është i domosdoshëm ndalimi i sulmeve izraelite ndaj Gazës dhe Libanit dhe se ky është hapi i parë që duhet ndërmarrë për uljen e tensioneve.
Duke deklaruar se "Jordania nuk do të jetë definitivisht arena e konflikteve rajonale", Mbreti Abdullah theksoi se vendi i tij është i vendosur të vazhdojë të gjitha përpjekjet me vendet vëllazërore dhe mike për të garantuar stabilitetin në rajon dhe për të gjetur zgjidhje politike për çështjen e Palestinës.
Mbreti i Jordanisë bëri thirrje që ndihma humanitare të dërgohet në rajon për ta lehtësuar fatkeqësinë humanitare në Rripin e Gazës dhe Liban. Në takim ishin të pranishëm edhe Princi i Kurorës jordaneze Husein bin Abdullah dhe ministri i Jashtëm Ayman al-Safedi.