Katari: Armëpushimi në Gaza do të fillojë në 06:30 GMT të dielën

Katari: Armëpushimi në Gaza do të fillojë në 06:30 GMT të dielën

Izraeli konfirmon orarin e marrëveshjes së armëpushimit.
Katari: Armëpushimi në Gaza do të fillojë në 06:30 GMT të dielën           / Foto: AA

Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi të shtunën se marrëveshja për armëpushimin në Rripin e Gazës do të hyjë në fuqi në orën 08:30 të mëngjesit me kohën lokale (06:30 GMT) të dielën, më 19 janar.

Zëdhënësi i Ministrisë, Majed Al-Ansari, konfirmoi zhvillimin në X: “Siç është koordinuar nga palët e marrëveshjes dhe ndërmjetësuesit, armëpushimi në Rripin e Gazës do të fillojë në orën 08:30 të mëngjesit të dielën, më 19 janar, me kohën lokale në Gaza.”

“Ne i këshillojmë banorët të marrin masa paraprake, të ushtrojnë kujdes maksimal dhe të presin udhëzime nga burime zyrtare,” shtoi ai.

Ushtria izraelite gjithashtu lëshoi një deklaratë duke konfirmuar gatishmërinë e saj për ta zbatuar marrëveshjen.

“Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar, në orën 08:30,” tha ushtria izraelite në një deklaratë, duke theksuar se forcat e saj “do ta zbatojnë planin operacional në terren në përputhje me marrëveshjet e përcaktuara.”

Ndërkohë, Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë Kombëtare në Gaza njoftoi përgatitjet për t'i vendosur forcat e saj në enklavë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Katari shpalli një marrëveshje armëpushimi me tre faza të mërkurën, për t’u dhënë fund më shumë se 15 muajve të sulmeve vdekjeprurëse izraelite ndaj Rripit të Gazës, me armëpushimin që do të hyjë në fuqi të dielën.

Pothuajse 46.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 110.600 janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit ndaj Gazës që nga 7 tetori 2023, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste në nëntor për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij ndaj enklavës.

TRT Balkan / agjencitë