Fëmijët në Rripin e Gazës janë të uritur, të etur dhe nuk mund t'u sigurohet kujdesi adekuat shëndetësor për shkak të mungesës së ilaçeve.
Izraeli prej muajsh kryen sulme në Rripin e Gazës dhe duke penguar hyrjen e ushqimit dhe të nevojave themelore për jetën, ka shkaktuar një fatkeqësi humanitare në enklavën palestineze.
Fadi Al-Zant është një djalë gjashtëvjeçar palestinez nga Gaza veriore i cili aktualisht ndodhet në spitalin "Kamal Adwan" në Beit Lahiyya.
Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Për shkak të mungesës së aksesit në mjekime për trajtimin e sëmundjes së tij cistike dhe kequshqyerjes, jeta e tij është në rrezik.
Nëna e tij tha për AA-në se tashmë kishte humbur dy fëmijë nga e njëjta sëmundje.
Të paktën 30.320 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Izraelit të akuzuar për gjenocid në Rripin e Gazës më 7 tetor, duke përfshirë një numër të madh fëmijësh.
Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda vendit dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.