Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutë për pauzë humanitare në Gaza

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutë për pauzë humanitare në Gaza

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Rusia dhe Britania e Madhe abstenuan.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutë për pauzë humanitare në Gaza / Photo: AA

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) miratoi një projektrezolutë që kërkon "pauzë të menjëhershme dhe të zgjatur" të konfliktit në Gaza.

Projektrezoluta e paraqitur nga Malta në KS të OKB-së u votua në një seancë urgjente. Projektligji u votua me 12 vota "për” dhe tri “abstenime” nga gjithsej 15 anëtarë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Rusia dhe Britania e Madhe abstenuan.

Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit hodhi poshtë propozimin e amendamentit rus për të përfshirë termin "armëpushim" në vend të "pauzës humanitare".

Rezoluta bën thirrje për një "pauzë të menjëhershme dhe të zgjatur humanitare në konflikt" në vend të një armëpushimi humanitar dhe krijimin e një korridori në Rripin e Gazës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Më tej, rezoluta thekson se intervalet në fjalë duhet të kenë një "numër të mjaftueshëm ditësh" në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe bën thirrje për qasje të papenguar, të shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare të ofruar nga OKB-ja dhe partnerët e saj.

Vendimi bën thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve, veçanërisht të fëmijëve, nga duart e Hamasit dhe grupeve të tjera dhe bën thirrje për t'i dhënë fund pengimit të furnizimit të popullatës civile në Gaza me gjërat e nevojshme themelore.


AA