Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut pohoi të mërkurën se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me obus vetëlëvizës shtesë dhe raketahedhës të shumëfishtë, raportojnë mediat lokale.
Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare tha se trupat e Koresë së Veriut që ishin dislokuar në Rusi gjithashtu morën pjesë pjesërisht në luftime së bashku me forcat ruse kundër Ukrainës, sipas Yonhap News me bazë në Seul.
Agjencia tha se ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Choe Son-hui ishte angazhuar në "diskutim të ndjeshëm" me presidentin rus Vlladimir Putin gjatë vizitës së saj të fundit në Moskë. Ajo diskutoi vizitën e mundshme të liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un në Rusi në të ardhmen e afërt, pohoi ajo.
Gjatë udhëtimit të saj, Choe u zotua gjithashtu se Pheniani do të "mbështesë dhe ndihmojë fuqimisht ushtrinë ruse" deri në fitoren e saj në Ukrainë. Vizita e saj erdhi pasi Koreja e Jugut dhe ShBA-ja pretenduan se ushtarët e Phenianit ishin zhvendosur në Rusi për të luftuar forcat ukrainase atje.
Në qershor, Pheniani dhe Moska nënshkruan marrëveshjen gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik që kërkon shtrirjen e ndihmës ushtarake për njëri-tjetrin në rast agresioni nga një palë e tretë.
Gjatë një takimi me një delegacion qeveritar rus të hënën, Kim vlerësoi bashkëpunimin midis Phenianit dhe Moskës dhe u zotua të promovojë më tej lidhjet dypalëshe. Koreja e Veriut dhe Rusia mbajtën takimin e 11-të të komitetit ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik në Phenian të martën dhe diskutuan çështje që lidhen me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zgjerimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike.
Ministri i Marrëdhënieve Ekonomike të Koresë së Veriut, Yun Jong-ho, dhe ministri i Burimeve Natyrore të Rusisë, Alexander Kozlov, kryesuan delegacionet e tyre përkatëse në takimin e komitetit ndërqeveritar për bashkëpunimin në tregti, ekonomi, shkencë dhe teknologji në Phenian.
Të dyja palët vlerësuan zbatimin e marrëveshjeve të takimit të tyre të mëparshëm dhe diskutuan në detaje fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke përfshirë energjinë, bujqësinë, shkencën, teknologjinë, shëndetësinë dhe turizmin.