Presidenti i Rusisë Vlladimir Putin me gjasë po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë, deklaroi të mërkurën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Në një fjalim në Akademinë Federale për Politikat e Sigurisë (BAKS), ministri Pistorius tha se nuk sheh asnjë tregues se Rusia është e interesuar për bisedime diplomatike për përfundimin e luftës.
"Unë nuk shoh asnjë shenjë për këtë dhe më duket se Putini po përgatitet të vazhdojë këtë luftë për shumë e shumë vje/", tha ai.
Ai theksoi se Gjermania do të vazhdojë të furnizojë me armë Ukrainën, në mënyrë që të ndihmojë Kievin të mbrojë territorin e vet. Pistorius theksoi se sistemet gjermane të armëve, si tanket kundërajrore "Gepard", deri më tani kanë qenë efektive dhe kanë shpëtuar shumë jetë në Ukrainë.
Megjithatë, ai ishte i kujdesshëm në lidhje me kërkesën e Ukrainës për raketa me rreze të gjatë "Taurus". "Vendimi nuk është marrë ende", tha Pistorius duke shtuar se ai me siguri do të mbështeste qëndrimin e kancelarit Olaf Scholz për këtë çështje.
Ai theksoi se duhet të marrin vendime me kujdes për çështje të tilla. "Duhet të shqyrtojmë opsionet, duke i vlerësuar ato me interesat tona kombëtare. Sepse ne jemi betuar të mbrojmë popullin gjerman që është në rend të parë", tha Pistorius.
Pavarësisht presionit në rritje nga Ukraina, kancelari Scholz deri më tani ka qenë i kujdesshëm në lidhje me dërgimin e raketave "Taurus", nga frika se ato mund të përdoren për të sulmuar objektivat në Rusi dhe kështu mund ta bëjnë Gjermaninë palë në konflikt.
Që nga fillimi i luftës, Gjermania i ka dhënë 22 miliardë euro ndihmë financiare Ukrainës, përfshirë 12 miliardë euro ndihmë ushtarake. Ndihma ushtarake përfshinte armë dhe pajisje të avancuara si tanke luftarake "Leopard 2", tanke kundërajrore "Gepard", automjete luftarake "Marder" dhe sisteme të mbrojtjes ajrore "Patriot" dhe "IRIS-T".