Kryediplomati turk Fidan: DEASh-i është helm për komunitetet muslimane /           Foto: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se organizata terroriste DEASh është helm për komunitetet myslimane.

Kryediplomati turk Fidan pas takimit të tij me homologun jordanez Ayman Al-Safadi, mbajti një konferencë të përbashkët për media.

"DEASh-i është helm për komunitetet myslimane", tha ai duke paralajmëruar Perëndimin, se nuk do të lejohet forcimi i PKK-së nën petkun e luftimit të DEASh-it për t'u shërbyer politikave të tjera.

Fidan tha se grupi terrorist PKK/YPG duhet t'i braktisë armët në Siri "sa më shpejt të jetë e mundur". "Perandoria e dhunës që ata kanë krijuar mbi vëllezërit tanë kurdë, duke shfrytëzuar ndjenjat e tyre fisnike, është gati për t'u shembur", u shpreh Fidan.

Kryediplomati jordanez Safadi nga ana e tij theksoi se vendi i tij koordinohet me Türkiyen për të kontribuuar në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, në dritën e sfidave me të cilat përballen.

"Çdo gjë që kërcënon sigurinë e Türkiyes kërcënon edhe sigurinë e rajonit", theksoi Safadi.

]Ndërkohë në takimin e mbajtur në Ministrinë turke të Jashtme, morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, kreu i Organizatës Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT), Ibrahim Kalın, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Jordanisë, gjeneralmajor Yousef Huneiti si dhe shefi i Agjencisë së Inteligjencës, gjeneralmajor Ahmad Husni.

TRT Balkan / agjencitë