Ministri i Jashtëm rus, Sergey Llavrov, deklaroi se veprimet e ShBA-së e kanë sjellë rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një lufte të madhe.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se Llavrov mori pjesë në Konferencën e 2-të Ndërkombëtare për Sigurinë Euroaziatike të mbajtur në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.
Në fjalën e tij, Lavrov deklaroi se ShBA-ja dhe aleatët e saj po përpiqen ta kthejnë rajonin euroaziatik në një zonë lufte gjeopolitike. "Stabiliteti në rajonin euroaziatik mund të arrihet me garanci afatgjata të sigurisë", tha ai.
Llavrov theksoi se Perëndimi po përpiqet ta destabilizojë situatën në rajone të tjera. "Perëndimi po kryen veprime destruktive kundër Kaukazit Jugor dhe po përpiqet të vendosë rregullat e veta në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë", tha ministri rus.
Duke kritikuar qasjen e ShBA-së ndaj Lindjes së Mesme, Llavrov tha: "Tërheqja e njëanshme e ShBA-së nga marrëveshja bërthamore e Iranit e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe përpjekja e saj për të monopolizuar procesin e zgjidhjes së çështjes arabo-izraelite ka çuar në pasoja katastrofike. Kjo e solli rajonin e rëndësishëm në prag të paqëndrueshmërisë dhe një lufte të madhe".
Lidhur me situatën në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, kryediplomati rus tha: "Numri i civilëve palestinezë të vrarë në një vit si rezultat i operacionit të Izraelit është dy herë më i lartë se numri i vdekjeve nga të dyja palët në 10 vitet pas grushtit të shtetit në Kiev".
"Perëndimi mbetet i heshtur për Gazën. Administrata e Bidenit bllokon çdo iniciativë që do t'i japë fund tragjedisë së popullit palestinez", tha ai.
Llavrov u takua me homologun e tij bjellorus, Maksim Ryzhenkov, në kuadër të konferencës në Minsk.
Llavrov u takua gjithashtu me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, me të cilin diskutoi për situatën në Ballkan.