Libia dakordohet për formimin e një qeverie të unifikuar. / Foto: AA Archive

Përfaqësuesit e parlamentit të Libisë dhe të Këshillit të Lartë të Shtetit kanë njoftuar një marrëveshje paraprake për formimin e një qeverie të unifikuar dhe për krijimin e komiteteve të posaçme për t'i adresuar çështjet e diskutueshme.

Marrëveshja u zbulua nga anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Sara Al-Sweih, në një konferencë për media pas ditës së parë të takimeve në qytetin Bouznika në veri të Marokut.

Diskutimet që filluan dhe do të përfundojnë gjatë ditës së sotme synojnë ta zgjidhin krizën politike të Libisë.

Al-Sweih tha se të dyja organet ranë dakord të formojnë një komitet të përbashkët për t'i rivlerësuar kriteret për emërimet sovrane, për të krijuar një proces aplikimi të kandidatëve dhe për të përvijuar një mekanizëm përzgjedhjeje.

Më herët, Maroku ka qenë nikoqir i gjashtë raundeve të bisedimeve me fraksionet libiane, që kulmuan me një marrëveshje të janarit në vitin 2021 për ndarjen e pozicioneve sovrane. Ky vend gjithashtu ka pritur diskutime mbi ligjet zgjedhore të Libisë dhe vizita diplomatike nga zyrtarët libianë.

Të dielën, nënkryetarja e Misionit Mbështetës të OKB-së në Libi (UNSMIL), Stephanie Koury, njoftoi formimin e një komiteti teknik të ekspertëve libianë për t'u dhënë përparësi hapave drejt formimit të një qeverie të unifikuar me konsensus të gjerë.

Përpjekjet synojnë t'u hapin rrugën zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare për t'i dhënë fund një bllokimi politik midis dy administratave rivale, respektivisht qeverisë me bazë në lindje të udhëhequr nga Osama Hamad, e emëruar nga Dhoma e Përfaqësuesve në vitin 2022 dhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar të njohur nga OKB-ja nën udhëheqjen e Abdul Hamid Dbeibah që vepron nga Tripoli në perëndim.

TRT Balkan / agjencitë