Ahmed al-Sharaa, lideri i administratës së re të Sirisë, është zotuar se qeveria e tij do të parandalojë grupin terrorist PKK/YPG që të përdorë Sirinë si bazë operacionesh.
Duke folur për televizionin Saudi Al-Arabiya/Al-Hadath, al-Sharaa shpalosi vizionin e tij për të ardhmen e Sirisë, duke theksuar planet për reformat kushtetuese dhe zgjedhjet e ardhshme.]
Duke theksuar se kurdët janë pjesë integrale e Sirisë, al-Sharaa tha se administrata e tij nuk do të lejojë që vendi të shërbejë si bazë për terroristët e PKK/YPG-së, si dhe përsëriti se Siria duhet të mbetet e bashkuar.
Duke iu referuar negociatave në vazhdim me PKK/YPG-në terroriste, e cila gjithashtu vepron nën emrin SDF, al-Sharaa tha se qeveria e re synon të zgjidhë krizën në verilindje të Sirisë dhe përfundimisht ta integrojë grupin në forcat kombëtare.
PKK-ja e njohur si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar. SDF-ja udhëhiqet nga YPG-ja, dega siriane e PKK-së.
“Sirianët u çliruan”
Më tej, al-Sharaa tha se me rënien e regjimit të Bashar Asadit këtë muaj, “sirianët u çliruan” dhe shprehu shpresë se kjo do të sjellë stabilitet në rajon për 50 vitet e ardhshme.
Ai theksoi angazhimin e tij për një tranzicion të qetë, duke përmendur nevojën për një regjistrim gjithëpërfshirës përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Ai gjithashtu pranoi se hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet, me zgjedhjet të mundshme në rreth katër vjet.
Lidhur me protestat, al-Sharra tha se “kjo është një e drejtë legjitime për çdo qytetarë që të shprehë mendimin e tij”. Por, shtoi ai, “institucionet nuk duhet të dëmtohen”.
Ai gjithashtu konfirmoi planet e tij për të shpërbërë grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që udhëhoqi operacionet gjatë rënies së Asadit, me një njoftim zyrtar që do të bëhet në një konferencë të planifikuar të dialogut kombëtar.
Regjimi i Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963, u rrëzua në 8 dhjetor kur grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut.
Marrja e kontrollit pasoi ofensivën e shpejtë të HTS-së, gjatë së cilës qytetet kryesore ranë brenda më pak se dy javësh.
Marrëdhëniet rajonale dhe globale
Sa i përket marrëdhënieve rajonale, al-Sharaa kërkoi nga SHBA-ja të heq sanksionet kundër Sirisë.
Ai pranoi se rënia e regjimit të Asadit ka ndërprerë një korridor thelbësor për dërgesat e armëve iraniane për Hezbollahun libanez dhe shprehu shpresën se Irani do të “ri-shqyrtojë” aktivitetet e tij rajonale.
Pavarësisht humbjes së Rusisë për aleatin e saj të gjatë në Damask, al-Sharaa mirëpriti deklaratat e Moskës për qeverinë e re dhe shprehu shpresën se Rusia do të tërhiqet nga Siria “në një mënyrë që i përshtatet” marrëdhënieve të tyre historike.