Ministri i Jashtëm rus Sergei Llavrov tha sot se shteti palestinez është "i pashmangshëm".
“Në aspektin historik, krijimi i një shteti palestinez është i pashmangshëm”, tha Llavrov në një intervistë për kanalin televiziv rus RT.
Ai shprehu keqardhjen që në shumicën e diskutimeve të përditshme për të ardhmen e Rripit të Gazës "nuk u kushtohet vëmendje" çështjeve të krijimit të shtetit palestinez ngjitur me Izraelin.
Llavrov tha se armëpushimi dhe zgjidhja e problemeve humanitare janë prioritetet kryesore në konfliktin palestinezo-izraelit.
“Detyra imediate, më urgjente, është ndërprerja e armiqësive dhe miratimi i masave për zgjidhjen e problemeve humanitare që vërehen kudo (në territorin palestinez)”, tha ai.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë ndërkufitare nga grupi palestinez i rezistencës Hamas më 7 tetor.
Të paktën 11.320 palestinezë janë vrarë, përfshirë afër 7.800 gra dhe fëmijë, si dhe mbi 29.200 të tjerë janë plagosur.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në ofensivën izraelite.
Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është 1.200.