Ministri i Jashtëm rus Sergei Llavrov tha sot se Perëndimi po përpiqet të largojë vëmendjen nga situata në Rripin e Gazës me akuza për ambiciet bërthamore të Iranit.
“Dëshira dhe qëllimi, më duket, është të largohet vëmendja e komunitetit botëror nga ajo që po ndodh në Rripin e Gazës, ku po shpaloset një fatkeqësi humanitare dhe tashmë po flasin shumë raportues special të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin”, tha Llavrov në një intervistë për tri radio stacione ruse.
Kreu i diplomacisë ruse theksoi se Perëndimi vazhdon të akuzojë Teheranin, pavarësisht konfirmimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se Irani nuk posedon armë bërthamore.
“Irani është vendi që ka më shumë inspektime nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi Llavrov.
Ministri rus beson se zgjidhja e çështjes palestineze është çelësi për tejkalimin e tensioneve midis Iranit dhe Izraelit, si dhe situatës së përgjithshme në Lindjen e Mesme, në aspektin e terrorizmit dhe ekstremizmit.
"Situata është shumë e keqe, ne duam t'i jepet fund dhunës, një zgjidhje për problemet humanitare, e megjithatë, mbi të gjitha, arabët duhet të marrin iniciativën, me mbështetjen e të gjitha forcave të arsyeshme, për të marrë në duart e tyre çështjen e krijimit të një shteti palestinez”, tha Llavrov.
Ai tha gjithashtu se autoritetet ruse përcjellën në Tel Aviv mosgatishmërinë e Teheranit për të përkeqësuar më tej situatën.
“Ka pasur kontakte telefonike mes udhëheqjes së Rusisë dhe Iranit, përfaqësuesve tanë dhe izraelitëve. Në këto bisedime, ne e bëmë shumë të qartë dhe u përcollëm izraelitëve se Irani nuk dëshiron përshkallëzim”, tha Llavrov.