Lojërat Olimpike: Atletët palestinezë priten në Paris me ovacione / Photo: AA

Atletët palestinezë që do të garojnë në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 u pritën me ovacione në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit.

Atletët që erdhën në Paris nga Amani, kryeqyteti i Jordanisë, u mirëpritën nga mbështetës palestinezë dhe përfaqësues të mediave vendase dhe ndërkombëtare.

Ata që u mblodhën në pritje mbanin kefije palestineze rreth shpatullave dhe qafës, ndërsa disa mbanin bluza me shkrimin "Bojkotoni pushtimin izraelit" dhe "Askush nuk është i lirë nëse Palestina nuk është e lirë".

Një grup që mbante flamuj palestinezë bërtiste slogane të tilla si: "Rroftë Palestina", "Palestina e lirë", "Ne jemi të gjithë palestinezë", "Rroftë rezistenca e popullit palestinez" dhe "Fund okupimit, Izraeli është shtet terrorist".

Mbështetësit kërkuan bojkotimin e Izraelit gjatë Lojërave Olimpike dhe futjen e sanksioneve kundër vendit.

Atletët palestinezë dhuruan kefije dhe shalle me flamurin palestinez për qytetarët që erdhën për t'i pritur.

Sabrine, një shtetase 32-vjeçare me origjinë palestineze që erdhi për të takuar grupin, tha se kishte ardhur në aeroport për të mbështetur ekipin kombëtar palestinez.

"Për mua është shumë e rëndësishme të jem sot në aeroport për shkak të asaj që po ndodh në atë zonë. Lojërat Olimpike do t'i bëjnë palestinezët më të dukshëm," tha Sabrine.

Mes të mbledhurve ishte edhe Meriem.

"Ata erdhën këtu me gjithë zemër. Sepse Izraeli nuk e respekton as paqen olimpike. Ne jemi këtu për të mbështetur lirinë e tyre. Historia nuk filloi më 7 tetor 2023. Ka pasur një okupim atje për 76 vjet. Shumë civilë janë vrarë deri më tani”, tha Meriem.

Delegacioni i kryesuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Palestinez, Jibril Rajoub, u mirëprit nga ambasadorja palestineze në Paris, Hala Abou-Hassira.

Palestina do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike të Parisit nga tetë atletë, duke përfshirë dy gra.

AA