Masakra izraelite në spitalin e Gazës: Mjekët luftojnë për të shpëtuar jetë.     /Foto: Reuters

Mjekët në qytetin e Gazës, të përballur me pakësimin e furnizimeve mjekësore, kryen operacione në dysheme, shpesh pa anestezi, në një përpjekje dëshpëruese për të shpëtuar viktimat e plagosur rëndë të një sulmi ajror izraelit që vrau rreth 500 palestinezë të strehuar në spitalin arab Al Ahli.

Izraeli, siç informoi ministria e Brendshme, vazhdoi sulmet ajrore në Gaza edhe të mërkurën. Ndërsa zemërimi për këto veprime është rritur në gjithë botën. Rusia këtë sulm përshkroi si një "krim" nga Izraeli.

Qindra palestinezë ishin strehuar në Al Ahli dhe spitale të tjera në qytetin e Gazës, duke shpresuar se do të kurseheshin nga bombardimet pasi Izraeli urdhëroi të gjithë banorët e qytetit dhe zonave përreth të evakuoheshin në jug të Gazës.

Një video që u konfirmua ishte nga spitali dhe tregonte terrenin e spitalit të shpërndarë me trupa të shqyer, shumë prej tyre fëmijë të vegjël, ndërsa zjarri përfshiu ndërtesën. Parku ishte i mbushur me batanije, çanta shpine shkollore dhe sende të tjera.

Të mërkurën në mëngjes, skena e shpërthimit ishte e mbushur me makina të djegura dhe toka u nxi nga mbeturinat.

Ambulancat dhe makinat private dërguan rreth 350 viktima në spitalin kryesor të qytetit të Gazës, Al Shifa, i cili tashmë ishte i mbingarkuar me të plagosur nga sulmet e tjera, tha drejtori i tij, Mohammed Abu Selmia.

Viktimat mbërritën me lëndime të tmerrshme, tha zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al Qidra.

Mjekët në spitalin e mbingarkuar iu drejtuan kryerjes së operacionit në dysheme dhe në salla, kryesisht pa anestezi.

“Ne kemi nevojë për pajisje, kemi nevojë për ilaçe, kemi nevojë për shtretër, kemi nevojë për anestezi, kemi nevojë për gjithçka”, tha Abu Selmia. Ai paralajmëroi se karburanti për gjeneratorët e spitalit do të mbaronte brenda disa orësh, duke detyruar një mbyllje të plotë, përveç nëse furnizimet hyjnë në enklavën e rrethuar. Pas sulmit brutal izraelit mbi spitalin Al-Ahli numri i të vrarëve në Gaza është rritur në 3.300 ndërkohë numri i të lënduarve mbi 13.000.

Autoritet shëndetësore besojnë se rreth 1.200 njerëz të tjerë në gjithë Gazën janë varrosur nën rrënoja, të gjallë ose të vdekur.

Më shumë se një milion palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre - afërsisht gjysma e popullsisë së Gazës - dhe 60 për qind janë tani në zonën rreth 14 kilometra të gjatë në jug të zonës së evakuimit, tha OKB-ja.

TRT Balkan / agjencitë