Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në tre javët e fundit, 7.326 palestinezë u vranë.
Vetëm në 24 orët e fundit janë vrarë 298 persona.
Ashraf al-Qudra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, tha se numri i njerëzve të vrarë në Gaza në sulmet izraelite që nga 7 tetori ishte rritur në 7.326, duke përfshirë 3.038 fëmijë, 1.726 gra dhe 414 të moshuar, dhe 18.967 njerëz u plagosën.
Ai deklaroi se Izraeli që nga dje ka kryer 41 masakra.
Qudra tha se 298 persona të tjerë u vranë në Gaza në 24 orët e fundit.
Ai deklaroi se që nga 7 tetori, ushtria izraelite ka vrarë 5.500 njerëz nga 772 familje në Rripin e Gazës.
Qudra theksoi se ka njerëz nën rrënojat pas sulmeve izraelite. Ai theksoi se 1.700 persona, mes tyre 940 fëmijë, janë të zhdukur.
Sipas tij, forcat izraelite kishin në shënjestër edhe shërbimet shëndetësore. 104 punonjës shëndetësorë kanë vdekur, ndërsa 25 autoambulanca janë bërë të papërdorshme.
Duke thënë se Izraeli kishte shënjestruar 57 objekte shëndetësore, Qudra vuri në dukje se 12 spitale dhe 32 qendra shëndetësore ishin jashtë funksionit për shkak të sulmeve nga ushtria izraelite ose mungesës së karburantit.
Ai tha se ka nevojë urgjente për ndihmë mjekësore në spitale dhe theksoi se nevoja për karburant në spitale dhe qendra shëndetësore vë në rrezik vdekjeje mijëra pacientë dhe të lënduar.
Ai nënvizoi se Izraeli përdor bllokimin e hyrjes së furnizimeve mjekësore dhe karburantit në spitale si një armë shtesë në sulmet e tij në Gaza.