Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të martën se Kina mund të bëhet një "lojtar kyç" në ndihmën për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.
“Unë besoj se Kina mund të bëhet, duke u nisur nga parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilit i apelon gjithmonë, një lojtar kyç për të ndihmuar në identifikimin e elementeve të një paqeje të drejtë”, u tha Meloni gazetarëve ndërsa vazhdonte udhëtimin e saj pesë-ditor në Kinë.
Meloni po i përgjigjej pyetjeve mbi luftën Rusi-Ukrainë, sipas Bloomberg.
Komentet e kryeministres italiane erdhën pas takimit të saj me liderin kinez Xi Jinping të hënën në Pekin.
Megjithatë, Meloni tha se mbështetja ekonomike e Pekinit për Rusinë ishte një zonë e “fërkimeve të mëdha”.
Tregtia dypalëshe midis Rusisë dhe Kinës u rrit në rreth 240 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas shifrave zyrtare.
Lufta Rusi-Ukrainë po kalon vitin e tretë që kur Moska nisi luftën kundër Kievit në shkurt 2022.
Qindra mijëra janë vrarë dhe plagosur, ndërsa miliona janë zhvendosur.
Vendet perëndimore të udhëhequra nga ShBA-ja i kanë bërë presion Kinës që të ndihmojë në përfundimin e luftës duke ndikuar në Moskë.
Ndërsa Pekini ka refuzuar të dënojë Rusinë për "operacionet e saj speciale ushtarake" në Ukrainë, Kina, megjithatë, ka bërë thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha kombeve.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë i Melonit me krerët kinezë, përfshirë kryeministrin Li Qiang, që kur Roma u tërhoq nga Iniciativa e financuar nga Pekini.
Meloni, megjithatë, u zotua të "rifillojë" marrëdhëniet me Pekinin dhe të dy palët nënshkruan një pakt tre-vjeçar për të zbatuar vendimet e kaluara dhe të reja.
Gjatë konferencës për shtyp, kryeministrja italiane i bëri thirrje gjithashtu Izraelit "të mos bjerë në grackën e hakmarrjes", mes tensioneve në rritje me Libanin.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vazhdojë të “dërgojë mesazhe moderimi”.