Zëvendëskoordinatori mjekësor i Mjekëve pa Kufij (MSF) në Gaza, Muhammed Abu Mugaysib, tha se gjendja shëndetësore në Gaza po përkeqësohet dita-ditës.
Mugaysib po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve të AA-së në lidhje me situatën e fundit në Gaza, e cila është nën sulme dhe bllokadë intensive izraelite, si dhe vështirësitë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Duke vënë në dukje se më shumë se 30.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza, Mugaysib tha: "Kjo mjafton për të përshkruar situatën aktuale në Gaza".
Mugaysib vuri në dukje se, si MSF, ata mbështetën disa spitale në qytetin Rafah në Gazën jugore, por nuk mund të arrinin spitalet e tjera në veri, në Khan Younis dhe në qytetin e Gazës.
"Nuk ka asnjë zonë të sigurt në Gaza. Kjo vlen si për njerëzit ashtu edhe për punonjësit e shëndetësisë", tha Mugaysib.
Ai deklaroi se të zhvendosurit, veçanërisht në jug të Gazës, do të përballen me vështirësi të mëdha gjatë Ramazanit, muajit të shenjtë të myslimanëve.
Ai kujtoi se rreth 1,5 milion njerëz jetojnë në tenda në Rafah.
Duke theksuar se ndihma humanitare e dërguar në Gaza nuk është e mjaftueshme, Mugaysib bëri thirrje për një rritje të ndihmave humanitare, përfshirë ndihmën mjekësore, për Gazën.
Mugaysib deklaroi se po bëjnë të pamundurën për t'u ofruar kujdes shëndetësor pacientëve, por se situata është më e vështirë se sa duket.
"Situata shëndetësore në Gaza po përkeqësohet dita ditës. Aktualisht ka shumë pak spitale që punojnë në jug të Gazës," shtoi Mugaysib.