Çmimet e naftës u rritën me dy për qind të mërkurën pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme për shkak të shqetësimeve se sulmi më i madh i Iranit ndaj Izraelit deri më tani mund të thellojë konfliktin dhe të shkaktojë një ndërprerje të prodhimit të naftës së papërpunuar në rajon.
Brent, standardi ndërkombëtar i naftës, u rrit me 2,05 për qind në 75,07 dollarë të mërkurën. Një ditë më parë, tregtimi u mbyll me çmimin 73,56 dollarë.
West Texas Intermediate është më i shtrenjtë me 2,23 për qind dhe tani qëndron në 71,39 dollarë për fuçi pas 69,83 dollarëve të një dite më parë.
Tregtia në të dy llojet e naftës u rrit pasi Irani lëshoi gati 180 raketa balistike drejt Izraelit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se sulmi ishte në përgjigje të vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Hanije, liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe komandantit të Gardës, Abbas Nilforoshan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani bëri një gabim të madh për të cilin do të paguajë.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi një përgjigje edhe më të fortë nëse Izraeli hakmerret kundër sulmit.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Iranit, anëtar i OPEC-ut, ka ngritur shqetësime për problemet e mundshme në prodhimin e naftës së papërpunuar. Sipas të dhënave të OPEC-ut, Irani prodhoi 3,3 milionë fuçi në ditë në gusht.