I burgosuri palestinez Walid Daqqa (62) ndërroi jetë nga kanceri të dielën, pas 38 vitesh të kaluar në burgjet izraelite, raportuan grupet palestineze të të drejtave të njeriut.
“Udhëheqësi dhe i burgosuri Walid Daqqa, i cili vuante nga kanceri, vdiq në spitalin Assaf Harofeh (afër Tel Avivit)”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Komisioni për të Paraburgosurit dhe Ish-Të Paraburgosurit dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinez.
Vdekja e Daqqa-s iu atribuua "një politike të qëllimshme mjekësore të neglizhencës nga administrata e burgjeve të okupatorëve ndaj të burgosurve të sëmurë".
Në deklaratë thuhej se Daqqa vinte nga Baq al-Gharbiyya, një qytet i vendosur në Izrael në kufi me Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se ai ishte në paraburgim që nga viti 1986.
Më herët të dielën, gazeta Israel Today raportoi lajmin për vdekjen e Daqqa në spital, duke thënë se ai kishte vuajtur nga një formë e rrallë kanceri.
Shtohet se ai ndodhet në burg që nga viti 1986, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e një ushtari izraelit në vitin 1984 dhe se është një nga të burgosurit palestinezë më të vjetër në burgjet izraelite.
Izraeli ka arrestuar të paktën 9.100 të burgosur palestinezë, kushtet e të cilëve janë përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar, sipas organizatave palestineze.