Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme ajrore në rreth 230 lokacione në Rripin e Gazës, vetëm në 24 orët e fundit.
Pavarësisht thirrjeve për armëpushim nga bota dhe thellimit të krizës humanitare në rajon, Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite, e cila nisi një sulm tokësor ndaj Khan Younis në jug dhe në veri të Gazës, vazhdon bombardimet e saj në masë të gjerë.
Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se forcat ajrore kanë sulmuar rreth 230 vende në Gaza në 24 orët e fundit.
Pretendohet se vendet e goditura ishin "shënjestra" që u përkisnin Brigadave Izz al-Din al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit.
Në zonat e bombarduara ka 6.700 njerëz të zhdukur
Mbështetur në njoftimin e 20 dhjetorit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori ka kaluar mbi 20 mijë.
Më shumë se 8 mijë nga të vrarët në sulme janë fëmijë dhe 6.200 ishin gra. 52.600 palestinezë të tjerë janë plagosur në sulmet e vazhdueshme të Izraelit.
Në deklaratë thuhet se numri i të zhdukurve të mbetur në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet izraelite ishte 6.700 dhe theksohet se 70 për qind e tyre ishin gra dhe fëmijë.