Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ushtria e tij po përgatitet të hyjë në Rafah në Rripin e Gazës jugore, duke shtuar se “kjo do të marrë pak kohë”.
Në një fjalim televiziv të transmetuar përmes llogarisë së tij zyrtare në X, Netanyahu filloi duke përmbledhur detajet e një bisede telefonike që pati me presidentin amerikan, Joe Biden, të hënën e kaluar.
“Në fillim, ne ramë dakord se Hamasi duhet të eliminohet. Por, gjatë luftës, nuk është sekret, ka pasur mosmarrëveshje mes nesh për mënyrën më të mirë për të arritur këtë qëllim”, tha Netanyahu.
Në fillim, ai i tha presidentit Biden se mposhtja e Hamasit kërkon që ushtria izraelitë të hyjë në Rripin e Gazës. Ai tha se në bisedën e tyre të fundit, i tha Bidenit se përfundimi i fitores kërkon që ushtria të hyjë në Rafah për të eliminuar mbetjet e batalioneve të Hamasit.
Duke iu adresuar izraelitëve, Netanyahu tha se ai kishte miratuar tashmë planin operacional të ushtrisë dhe se ata së shpejti do të miratojnë planin për evakuimin e civilëve nga zonat e betejës.
“Derisa po përgatitemi të hyjmë në Rafah dhe kjo do të marrë pak kohë, ne po vazhdojmë të operojmë me forcë të plotë. Ne po vazhdojmë të operojmë në Khan Yunis, në kampet në qendër, në eliminimin dhe kapjen e zyrtarëve të lartë të Hamasit siç sapo kemi bërë në (spitalin) Shifa dhe në eliminimin e qindra terroristëve”, theksoi kryeministri izraelit.
Të martën, pas bisedës telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, tha se kryeministri izraelit ra dakord të dërgonte një ekip në ShBA për të diskutuar planin e Izraelit për të pushtuar qytetin Rafah "pa një pushtim të madh tokësor".
Kjo vjen pavarësisht nga përshkallëzimi i paralajmërimeve rajonale dhe ndërkombëtare për pasojat e çdo pushtimi tokësor izraelit të qytetit Rafah, i cili strehon rreth 1,4 milion refugjatë palestinezë të zhvendosur nga sulmi i ushtrisë izraelite në pjesë të tjera të Rripit të Gazës, duke i shtyrë ata në zonë dhe duke u premtuar atyre siguri.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez i rezistencës Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 izraelitë.
Pothuajse 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 74 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit të masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.