Netanyahu prezanton planin e pasluftës për Gazën, e kundërshton OKB-ja       / Foto: AA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shpalosur një plan të shkruar që synon çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës pas konfliktit të përgjakshëm të vazhdueshëm që ka vrarë rreth 30.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 70.000 të tjerë.

I ashtuquajturi "Plani i Post-Hamasit" i Netanyahut u zbulua në kabinetin e tij politik dhe të sigurisë në mbrëmjen e së enjtes, siç raportuan mediet izraelite.

Në zemër të propozimit qëndron një strategji kryesore: krijimi i një entiteti civil të ngarkuar me mbikëqyrjen e çmilitarizimit të Gazës së rrethuar duke ruajtur autonominë operacionale të ushtrisë izraelite në enklavën e bllokuar.

Ky shënon rastin e parë kur Netanyahu ka artikuluar zyrtarisht strategjitë e tij për pasojat e konfliktit të Gazës në formë të shkruar.

Ruajtja e lirisë operacionale

Sipas Jerusalem Post, propozimi i Netanyahut thekson rëndësinë kritike të çmilitarizimit si një parakusht për fillimin e çdo përpjekjeje rindërtimi.

Kjo qasje strategjike, sipas Axios, nënvizon angazhimin e palëkundur të Izraelit për të ruajtur lirinë operacionale brenda Gazës së rrethuar, për të parandaluar rilindjen e "terrorizmit" dhe për të garantuar sigurinë e kufijve të saj.

Elementet kryesore të këtij plani përfshijnë krijimin e një zone sigurie përgjatë kufirit të Gazës me Izraelin dhe zbatimin e mekanizmave të fuqishëm monitorues për të mbajtur kontrollin mbi rajonin.

Në qendër të vizionit të Netanyahut, siç detajohet nga Israel National News, është çmilitarizimi i plotë i Gazës, me Izraelin që merr përgjegjësinë për mbikëqyrjen e këtij procesi për të garantuar pajtueshmërinë.

Për më tepër, theksohen planet për iniciativa "deradikalizimi" brenda institucioneve fetare, arsimore dhe të mirëqenies së enklavës së bllokuar, duke synuar të kundërshtojnë ato që Netanyahu i quan ndikimet "ekstremiste" brenda territorit.

"Përpjekjet për rindërtim"

Propozimi i Netanyahu shtrihet edhe në përpjekjet për rindërtim.

Siç raportohet nga Jerusalem Post, plani parashikon përfshirjen e organeve civile lokale në administrimin e shërbimeve publike brenda Gazës së rrethuar, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të ndihmës janë planifikuar të udhëheqin përpjekjet e rindërtimit.

Sipas Axios, Netanyahu mbron mbylljen e UNRWA-së, duke përmendur akuzat për përfshirje në aktivitete "të dhunshme". Kjo lëvizje nënvizon vendosmërinë e Izraelit për të siguruar që përpjekjet e ndihmës të përputhen me interesat e tij të sigurisë.

OKB-ja kundërshton planin

Plani i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për Gazën e pasluftës është kundër zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës, tha të premten zëdhënësi i OKB-së.

"Ne pa dyshim që i kemi parë ato raporte... Së pari dhe më e rëndësishmja, vlen të përsëritet, se ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar përsëri, një akses më të madh humanitar dhe një lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve," u tha Stephane Dujarric gazetarëve në New York.

Ai kujtoi se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres nënvizoi dhe përsërit se "çdo zgjidhje e qëndrueshme për paqen afatgjatë duhet të jetë në kuadrin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe fund për pushtimin dhe themelimin e një shteti të pavarur, demokratik, sovran dhe të qëndrueshëm palestinez, pjesë integrale e të cilit është edhe Gaza në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat përkatëse të OKB-së dhe marrëveshjet ekzistuese dypalëshe".

TRT Balkan / agjencitë